Për 11 muaj në Kosovë nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën 107 persona, si dhe kanë mbetur të lënduar shumë të tjerë. Vlerësohet që mosangazhimi i duhur nga institucionet përgjegjëse është njëri ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e aksidenteve me fatalitet.
Dhjetë persona kanë humbur jetën vetëm gjatë muajit të kaluar (nëntor) në aksidente të ndryshme trafiku në vend. Ndërsa nga janari deri në tetor të këtij viti 97 veta kanë humbur jetën në aksidente të tilla në Kosovë.
Eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala ka përmendur disa nga faktorët kyçë që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve, duke veçuar kështu mosrespektimin e shenjave të komunikacionit.
“Në masën më të madhe për shtimin e aksidenteve në rrugët e Kosovës mund të veçohen këto pika: mosrespektim i shenjave të komunikacionit (ligjeve mbi komunikacionin), mospërmbushja e normave ligjore të kontrollimeve teknike të automjeteve, ndikimi i alkoolit dhe i substancave narkotike, mungesa adekuate e infrastrukturës rrugore ( sinjalistika, ndriçimi i rrugëve etj)”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër ai ka përmendur edhe disa elemente që duhet të shtohen me qëllim të parandalimit të aksidenteve.
“Elementet që duhet të shtohen në parandalimin e aksidenteve janë si në vijim: shtimi i radarëve fotografikë statikë (blicat) në rrugët më të frekuentuara, vendosja e radarëve fotografikë lëvizës në vetura civile, zbatueshmëria e ligjeve aktuale nga ana e PK-së në aspektin operativ mbi sigurinë në komunikacion, rivlerësimi i shoferëve që arrijnë 10 pikë negative në komunikacion, rimodelimi i vlerësimit të kontrolleve teknike në tërë RKS-në”, ka përfunduar ai.
Ndërsa për Nol Dedajn, njohës i çështjeve të sigurisë, numri i aksidenteve nuk do të zvogëlohet derisa institucionet të merren me shkaktarët e aksidenteve në komunikacion.
“Numri i aksidenteve nuk do të zvogëlohet derisa institucionet e Kosovës nuk do të merren me hulumtimin e shkaktarëve të aksidenteve dhe marrjen e masave preventive. Në situatën që jemi siguria rrugore është aq e brishtë sa aksidentet nuk do të ndalen, por vetëm se do të rritet numri i tyre. Jemi në sezonin ku temperaturat ulen dhe rrugët janë të lagura, si dhe shpejtësia e madhe e lëvizjes së automjeteve”, ka thënë Dedaj.