Kërkohet rritje e numrit të pikëkalimeve kufitare për kosovarët

Prishtinë | 01 Dhj 2016 | 10:31 | Nga

Në takimet e radhës për Lëvizjen e Lirë në dialogun Kosovë-Serbi, pala kosovare do të kërkojë që qytetarët me dokumente të Kosovës, të mund të kalojnë edhe nëpër një pikë-kalim në mes të Malit të zi dhe Serbisë, si dhe një pikëkalimi kufitar në mes të Rumanisë dhe Serbisë.

Hysen Krasniqi, nga Ferizaj nuk kishte mundur që të kalojë kufirin nga Mali i Zi në drejtim të Serbisë, pasi që Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk vlen edhe për pikë-kalimet e Serbisë me Malin e Zi.

Ai ka thënë për RTK.live, se nuk e ka ditur që kjo Marrëveshje nuk vlen edhe për pikat kufitare me Malin e Zi.

“Kalova kilometra rrugë dhe u ktheva. Autoritetet kufitare serbe më thanë se nuk vlen marrëveshja për këtë pikë kufitare me Serbinë”, ka thënë ai.

Kurse Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe koordinator i Lëvizjes së Lirë, ka bërë me dije se Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2011 vlen për të gjitha gjashtë pikë-kalimet kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, si dhe pikë-kalimet e Serbisë me vendet tjera: Aeroportin e Beogradit, Aeroportin e Nishit, Batrovci (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Kroacisë), Shid-Tovarnik (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Kroacisë), Horgosh-Roszke (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Hungarisë), Kelebia-Tompa (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Hungarisë), Preshevë-Tabanovc (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Maqedonisë) dhe Gradina-Kalotina (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Bullgarisë).

Sipas tij, pikë-kalimet e lartpërmendura janë kërkuar ngase frekuentohen më shumë nga qytetarët, bizneset dhe diaspora e Kosovës.

“Në takimet e radhës për Lëvizjen e Lirë, pala jonë do të kërkojë që të mundësohet zbatimi i kësaj marrëveshje edhe për një pikë-kalim në mes të Malit të zi dhe Serbisë, si dhe një pikëkalimi kufitar në mes të Rumanisë dhe Serbisë”, ka thënë Zeka.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme