Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës shqyrtoi draft-planin e punës së komisionit për vitin 2018 dhe projektligjin për ndërmarrjet sociale.
Anëtari i Komisionit, deputeti i VV-së, Faton Topalli kërkoi që ligji aktual i punës të ndryshohet, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ligji aktual mbron vetëm punëdhënësi e diskriminon punëmarrësin duke kërkuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Social të sjell në komision planin që ka për këtë ligj.
“Ky ligj duhet të ketë ndryshime. Ligji aktual i Punës më shumë mbështet punëdhënësit se sa punëmarrësit. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale nëse ka plan për ndryshimin e ligjit duhet të na dorëzoj dhe së bashku ta shikojmë. Ky ligj mbron vetëm punëdhënësit, e në fakt Ligji i Punës ka për qëllim mbrojtjen e punëmarrësve. Ne si komision duhet të dimë a është punuar në atë ligj deri tani”, tha ai.
Ndërkaq Flora Brovina, deputet e PDK-së, tha se Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të vijë në komision dhe të raportojë për punët e ministrisë.
Ndërkaq Haxhi Avdyli tha se duhet të jenë më këmbëngulës që të sjellin ligjet e vonuara.
“Ne si komision duhet të jemi më këmbëngulës sepse në agjendë disa nga ligjet bazike janë të vonuara dhe këto vonesa po na kushtojnë. Duhet të përshpejtohet që të kryhen punët në sektorin shëndetësorë. Duhet të punojmë që ti gjejmë mangësitë”
Kryetarja e Komisionit Besa Baftiu tha se për shkak të punës sa ngarkuar të Kuvendit, komisioni ka pasur ngecje në punën e tij.
“Plani i punës që kemi pas për 3 muajin e kaluar nuk kemi mund ta përfushim për shkak të agjendës së ngarkuar të Kuvendit të Kosovës. Vitin e kaluar vetëm 5% e planit të punës së kuvendit është realizuar”, tha ajo.