Ministria e Shëndetësisë, me Komisionin për Shëndetësi të Kuvendit dhe Zyrën e UNICEF-it, organizuan tryezën me temën “Zbatimi i ligjit për të ushqyerit me qumësht të gjirit dhe kontributi në zhvillimin e fëmijëve: Sfidat dhe veprimet”. Nga kjo tryezë u tha se zbatimi i ligjit ka ngecur në disa pjesë por të gjitha institucionet e vendit po punojnë që ky ligj të gjejë implementim të plotë, raporton Ekonomia Online.
Merita Vuthaj, udhëheqëse e kësaj tryeze tha se ligji duhet të gjejë zbatim në praktikë.
“Qëllimi i kësaj tryeze është për të shqyrtuar dhe analizuar zbatimin e ligjit dhe gjatë këtij takimi duhet të gjejmë zgjidhje që ky ligj të zbatohet në tërësi. Ne e kemi bashkëpunimin me ministrinë”, tha Vuthaj.
Granit Abdullahu, zëvendësminister i shëndetësisë, tha se ministria po përkushtohet në mbështetje të zbatimin e këtij ligji.
“Prezenca ime është një dëshmi për përkushtimin e ministrisë. Duke konsideruar që të ushqyerit me qumësht të gjirit zvogëlon sëmundjet atëherë ky ligj duhet të zbatohet në praktikë. Do të jemi përkrahës që ky ligj të gjej zbatimin e duhur. Jam thellë i bindur se zbatimi i ligjit do të përmirësoj shëndetin e fëmijëve”, tha Abdullahu.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, tha se kanë punuar në draftimin e ligjit për të ushqyerit me gji në mënyrë që të ndikojnë pozitivisht në shëndetin e nënave.
“Jam munduar që të ndihmoj në hartimin apo plotësim ndryshimin për mbrojtjen për gjidhënie. Ne si komision kemi qenë në bashkrenditje me ministrinë e shëndetësisë dhe kemi qenë komision unik kur ka qenë në pyetje të hartohen ligje që kanë qenë në të mirë të shëndetit të popullatës e sidomos të nënave tona. Ne kemi bërë draftimin e këtij ligji që në praktikë të jetë më i zbatueshëm dhe të ndikojë pozitivisht në shëndetin e nënave. Mandati jonë si deputet është që të bëjmë monitorimin e këtij ligji dhe ka hyrë në fuqi që dy vite”, tha Baftiu.
Ndërsa përfaqësusi nga Zyra e UNICEF-it, James Mugaju, deklaroi se kjo zyrë ka përkrahur amandamentimin e këtij ligji që nga fillimi.
“Unë vlerësoj kontributin e juaj për të gjitha angazhimet për amendamentin për të ushqyerit me gji. Ne ju falënderojmë në emër të fëmijëve dhe tani është koha të bisedojmë se si duhet të zbatohet ligji. UNICEF-i e ka përkrahur këtë ligj dhe qëllimi i këtij ligji është që të ju mundësoj fëmijëve një fillim të shëndetshëm. Nga të dhënat shkencore është vërtetuar se ushqimi me gji i mbron nga shumë sëmundje fëmijët gjithashtu edhe nënat”, tha përfaqësuesi i UNICEF-it.