Kërkojnë njohjen e stazhit për vitet 1989-1999

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 08:11 | Nga

Sindikata e Pavarur e Administratës Publike të Kosovës (SPAK) dhe ish-Sindikata e Policëve të viteve ‘90, me anë të një propozimi të përcjellë në disa institucione të vendit kanë kërkuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Ata e konsiderojnë Ligjin e tashëm diskriminues, meqë ua pamundëson njohjen e stazhit të viteve 1989-1999, në kohën kur, sipas tyre, dhunshëm janë larguar nga puna, shkruan sot Koha Ditore.

Të dy sindikatat në këtë propozim thonë se ajo periudhë me këtë ligj është njohur nga institucionet e Kosovës si periudhë normale, edhe pse, sipas tyre, në atë kohë ishte suprimuar gjithçka.

“Dy sindikatat që përfaqësojnë dhe avokojnë të drejtat dhe interesat e nëpunësve të shtetit të Kosovës, jua parashtrojnë këtë propozim që urgjentisht të filloni nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, meqë për bindjen tonë është ligji më diskriminues dhe më dënues për nëpunësit e shtetit të viteve ‘90, i cili shkel në pafundësi të drejtat njerëzore të kësaj kategorie të asaj kohe”, thuhet në propozimin që i është përcjellë Kabinetit qeveritar, kryeministrit Isa Mustafa, Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Financave, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetares së Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, kryetarëve të grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, VV-së, AAK-së e Nismës për Kosovën, Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme