Sindikata e Policisë kritikon institucionet për mosgarantimin e sigurimit të tyre në punë

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 16:03 | Nga

Pas rastit të zhdukjes së dy policëve në lumin Lepenc mbrëmë, ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës e cila po ankohet për mos implementimi të legjislacionit që i siguron në vendin e punës.

Rasti i mbrëmshëm i fatkeqësisë aksidentale me ç’ rast akoma nuk dihet për fatin e dy zyrtarëve policor, ka bërë që Sindikata e Policisë së Kosovës (SKP) të reagojë përmes një komunikate për media ku shprehet e tronditur dhe shqetësuar shumë për rastin.

”Këtë dhimbje dhe shqetësim jemi duke e bashkë ndjerë me familjarët, me gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës dhe qytetarët e vendit tonë”, thuhet në hyrje të komunikatës.

Sindikata po ashtu ka shfrytëzuar këtë rast për të shfaqur edhe njëherë ankesat dhe kritikat ndaj institucioneve të Kosovës për mos fillimin e implementimit të sigurimit shëndetësor, sidomos duke pasur parasysh natyrën e punës së pjesëtareve të Policisë së Kosovës të cilët janë në shërbim të qytetarëve.

“U bë shumë kohë e gjatë që jemi duke kërkuar që sa më parë të filloj implementimi i sigurimit shëndetësor, po ashtu, kërkuam që punonjësit e Policisë së Kosovës të kenë sigurimin alternativ dhe aksidental, mirëpo mjerisht akoma nuk po hasim në mirëkuptim te institucionet kompetente vendore që të gjejnë zgjidhje dhe ti japin epilog pozitiv kësaj çështje”, thuhet në njoftimin për media të Këshillit Drejtues të SPK-së.

“Theksojmë se të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës janë të vetëdijshëm për sfidat dhe rreziqet që bartë ushtrimi i këtij misioni, mirëpo është tepruar me vonesën, për ne e pa justifikueshme, që edhe pas 18 vitesh prej themelimit të Policisë së Kosovës të mos kemi sigurimin shëndetësor, aksidental dhe jetësor”, thuhet më tej.

Sipas Këshillit Drejtues të SPK, edhe rasti i fundit, por edhe rastet e deritashme të punonjësve të rënë në detyrë e që janë 17 deri më tani, janë dëshmi se urgjentisht dhe pa humbur kohë institucionet e vendit duhet të zgjidhin këtë çështje kruciale – jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës, thuhet në komunikatën për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme