Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Messenger”, duke arrestuar një person. Operacioni është zhvilluar pas një hetimi për dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Tauland Neçaj, 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Laprakë, Tiranë.
Për këtë rast Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, kishte regjistruar procedimin penal për për shtetasin Tauland Neçaj, pasi:
Ky shtetas nëpërmjet komunikimit telefonik dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale ka shtrënguar me anë të kanosjes shtetasin me iniciale P.S, për t’i paguar 10 000 euro, shumë të cilën shtetasi P.S do tja jepte më datën 30.05.2017 në Tiranë.
Ky shtetas më datë 30.05.2017, në Tiranë, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në sens të kundërt me mjetin e tij tip Touareg, me targa AA 864 RH, duke dëmtuar tre automjete.
Me ndërhyrjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit pas disa minutash është bërë e mundur kapja e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip Touareg, 4 aparate telefoni celulare dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa.
Në ngarkim të shtetasit Tauland Neçaj janë referuan materialet proceduriale Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Shkatërrimit të Pronës” si dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 109/b , 283, 150 e 236 të Kodit Penal.