Këshilla rreth shëndetit oral

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 01:58 | Nga Ekonomia Online

Shëndeti oral është një term që siguron mirëqenien e dhëmbëve dhe mishrave pranë tyre (gingivat).

Kur përmendim problemet dentare, zakonisht na vijnë mend procese që nisin dhe vazhdojnë brenda dhëmbit, si: kariesi, prishja e thjeshtë, heqja e nervit e deri në rastet kur prishja kalon përtej rrënjëve të dhëmbit duke dëmtuar kockën dhe duke rrezikuar zonën përreth, proves i njohur me termin infeksion.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve:

  • Gjenet e trashëguara
  • Higjiena jo korrekte
  • Dieta që përfshin ushqime të buta që ngjiten lehtë mbi dhëmbë, si psh.: karamelet, patatinat, etj
  • Neglizhenca në trajtimin e prishjeve shpesh pasohet me dhimbje që sa vijnë e bëhen më të bezdisshme e deri të padurueshme. Në disa raste dhimbja tolerohet më shumë nga organizmi, ndërkohë që dhëmbi arrin pa simptoma në infeksion, situatë që vë në pikëpyetje ruajtjen e tij.

Prishja e lokalizuar në kontaktin midis dhëmbëve shpesh shoqërohet edhe me dëmtim të gingivës dhe kockës që ndodhet nën të duke formuar një xhep, i cili do vazhdojë të jetë i pranishëm edhe pas mbushjes së dhëmbit duke dhënë shpeshherë bezdi që arrin deri në dhimbje të forta. Në këto raste rekomandohet veçanërisht një pastrim i kujdesshëm me fijen ose furçën interdentare në mënyrë që ky proces në pamundësi për t’u rikthyer siç ishte, të ngadalësohet në avancim.

Problemet e mishrave të dhëmbëve

Ashtu si dhëmbët, edhe gingivat mund të pësojnë dëmtime të parikthyeshme. Problemet e gingivave njihen me termin ‘Gingivitis’. Ato janë të pranishme vecanërisht në moshën kur ndodh ndërrimi i dhëmbëve, si edhe gjatë pubertetit, nën ndikimin e hormoneve. Edhe periudha e shtatzënisë ndikohet nga hormonet karakteristike të saj dhe mund të shfaqen dukuri të ‘gingivitis’ që rinormalizohen pasi bie ndikimi i tyre.

Si sinjale për t’u pasur kujdes janë:

-Sipërfaqe shumë e lëmuar që gjakoset lehtë

– Skuqje (Ngjyra normale është rozë e lehtë)

– Zmadhim në volum

-Hialitosis (era e pakëndshme e gojës)

Në disa raste ‘gingivitis’ shoqërohet edhe me dëmtim të kockës nën to dhe gjendja quhet ‘paradontozë’. Kjo është një dukuri që vihet re shpesh në pacientët që kanë probleme me gurëzat në moshën 30-40-vjeçare. Është karakteristike ekspozimi në gojë i rrënjëve afër nivelit të gingivave.

Duhet pasur parasysh që goja shërben si portë hyrëse e shumë baktereve duke rrezikuar shëndetin e gjithë organizmit. Në rastet me imunitet delikat, si: diabet, artrit reumatoid dhe sëmundje kardio-vaskulare duhet treguar kujdes edhe më i veçantë gjatë procedurave dentare për të shmangur incidente të pakëndshme.

Këshillat që duhen pasur parasysh:

Larja e kujdesshme 3-5 min që përfshin të gjitha sipërfaqet e dhëmbëve. Ajo duhet te bëhet me furçë me fije të buta, duke e lëvizur furçën vertikalisht ose duke e rrotulluar, por jo në mënyrë horizontale. Gjatë larjes duhet furçuar edhe sipërfaqja e sipërme e gjuhës, sipërfaqet e brendshme të faqeve, pra çdo vend ku mund të ngelen ushqimet. Kjo procedurë duhet kryer minimalisht 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Edhe pastrimi me fijen interdentare ka shumë rëndësi për pastrimin e zonave ku furça normale nuk arrin dot. Me rëndësi për t’u përmendur është që duhet hequr nga përdorimi kunja dentare si një shkaktare kryesore e avancimit të xhepave dentare. Në fund, për një higjienë optimale duhet bërë një shpëlarje me shpëlarës oral.

Dy procedurat e fundit duhen bërë të paktën pas një vakti në ditë, më e mira do ishte pas darkës.

Këshilla kur në gojë janë pranishëm trupa të huaj

Kur në gojë janë të pranishëm trupa të huaj si ura, implante, proteza fikse apo të lëvizshme, aparate ortodontikë, etj , duhet pasur edhe më shumë kujdes me higjienën, duke e përshtatur atë sipas rastit. Për aparatet fikse ortodontike ka furça specifike, kurse për protezat e lëvizshme ka në treg tableta eferveshente që shkrihen në enën me ujë dhe bëjnë një pastrim në thellësi të tyre. Për rezultate gjithmonë e më të mira, duhet bërë një ndjekje e vazhdueshme nga mjeku stomatolog në formën e konsultave çdo 6 muaj që shpesh shoqërohen edhe me pastrimin e gurëzave dhe cipave.

Ndjekja në vazhdimësi dhe bashkëpunimi afatgjatë siguron, me pak durim, një higjienë optimale dhe gjendja normalizohet. Në raste të veçanta mund të rekomandohen trajtime më specifike si antibiotiko-terapi, kyretazh gingivar, lëmim i rrënjës, lazer-terapi dhe kirurgji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme