Këshilltarët Bashkiakë të Kukësit padisin prokurorët dhe policët që kanë lëshuar dhe ekzekutuar urdhërarrestet për protestuesit kuksianë. Sipas tyre, mbi ta rëndojnë 4 vepra penale, të kryera në bashkëpunim:
Në padinë e këshilltarë kuksianë thuhet se ndalimet janë kryer sipas metodave që ndjekin regjimet totalitare, duke shkelur të gjitha standardet dhe parimet që sanksionohen në Kushtetutë. “Urdhrat e ndalimit janë ekzekutuar duke hyrë dhunshëm dhe duke ndaluar qytetarët në harkun kohor 02.00 – 3.30 të mëngjesit”,-thuhet në padi.
Këshiltarët e Bashkisë së Kukësit thonë se urdhërarrestet janë lëshuar me një akt të motivuar politikisht nga organi i prokurorisë në Kukës, që nuk ka kryer procedurë të hetimit të pavarur dhe te paanshëm.
“Nxjerrja pa kryer asnjë verifikim apo hetim e urdhrave të ndalimit, është bërë me qëllimin kriminal të frikësimit të banorëve dhe intimidimit të tyre për të mos ushtruar të drejtën kushtetuese të tubimit dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në padi.
Në padi theksohet se, duke mos patur nevojë urgjente, ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, duhet të ekzekutoheshin në harkun kohor 07.00 deri në 20.00. “Hyrja në banesë në mes të natës, në një kohë ku të gjtihë familjarët e personave të ndaluar dhe veta ata, janë në gjumë, si dhe në kushtet kur këta persona nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri shoqërore, si dhe pranimi i kësaj forme të kundërligjshme nga ana e prokurorëve, përbën shpërdorim detyre për prokurorët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit.”-thuhet në padinë e këshilltarëve bashkiakë të Kukësit.
Këshilltarët e Bashkisë së Kukësit theksojnë se “nënshtrimi i organit të prokurorisë ndaj urdhrave politikë e qeveritarë është fund i demokracisë në vend dhe nevojiten masa urgjente të frenimit të këtij fenomeni të kundërligjshëm”.
Këshilltarët i qëndrojnë bindjes se qytetarët protestuan në mënyrë të ligjshme kundër padrejtësisë së qeverisë që i grabit ata nëpërmjet taksës 10 euro vajtjeardhje për autoveturat dhe 45 euro për kamionët, prandaj kanë hequr pikat e ndalesës dhe pagesës të vendosura në pronën publike.