Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skënder Çoçaj dhe Zëvendës/kryesuesja e KGjK-së, Makifete Saliuka, kanë pritur sot në takim Udhëheqësen e Ekipit Projektit të BE-së “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve”, Pepa Laleva dhe ekspertin ndërkombëtar, gjyqtarin Nedim Cosic për të diskutuar rreth aktiviteteve që kanë të bëjnë me koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në mes të profesioneve të lira ligjore dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Çoçaj dhe Zëvendës/kryesuesja Saliuka falënderuan të pranishmit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së që po i japin sistemit gjyqësor.
Në anën tjetër, udhëheqësja Laleva sqaroi rëndësinë e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm për sektorin e drejtësisë, ku përfituesit kryesorë janë Ministria e Drejtësisë, Oda e Avokatëve, Dhoma e Noterëve, ndërmjetësuesit duke përfshirë Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Akademinë e Drejtësisë si institucionet kryesore në këtë aktivitet. Në këtë Projekt është angazhuar gjyqtari Nedim Cosic nga Bosnia dhe Hercegovina.
Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje të Projektit të BE-së “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve”, deri në realizimin e projektit në fjalë, duke e vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm me të gjitha projektet e BE-së.