Këshilli i Filologjikut suspendon dy studente, “seksere” të profesorit Bejta

Prishtinë | 08 Gus 2023 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Dy studente janë suspenduar për 6 muaj nga Fakulteti Filologjik për shkelje të rënda disiplinore. Ato krijuan një grup në Viber, ku u mundësuan studentëve t’i përmirësojnë notat te profesori i suspenduar Bekim Bejta. Sipas vendimit, studentet e pranuan fajin.

Këshilli i Fakultetit Filologjik ka suspenduar dy studente për 6 muaj, me arsyetimin se kryen shkelje të rënda disiplinore.

Studentet e suspenduara kanë krijuar një grup në rrjetin social Viber, ku u ofruan kolegëve të tyre studentë mundësinë që t’i përmirësojnë notat në lëndët që ligjëron profesori Bekim Bejta, falë afërsisë me të.

Në vendim thuhet se studentet e kanë pranuar fajin.

“Studentëve t’u shqiptohet masë disiplinore, e cila parashihet në nenin 13, respektivisht paragrafi 1. Pika d. Ndalim i përkohshëm nga fakulteti për 6 muaj, gjatë kohëzgjatjes së masës disiplinore studentëve L.V. dhe E.B. u ndalohet qasja në objektin e Fakultetit të Filologjisë ku i ndjekin studimet, si dhe qasja në platformat zyrtare elektronike”, thuhet në vendimin e Këshillit të Fakultetit Filologjik.
Vendimi për studentet është futur në fuqi më 25 korrik dhe do të zgjasë deri më 25 janar.

Në mesazhet e publikuara në emisionin “Konfront” në KTV, muaj më parë, njëra nga studentet i njoftoi kolegët se arsyeja e ftesës në grupin në Viber, është mundësia e përmirësimit të notave te profesori Bejta.

Ato pretendonin për ndikim të madh te profesori.

“Pra, ju e dini për ndikimin që kemi ne, unë dhe Eda në secilën lëndë të profesorit dhe gjithashtu duke përfshirë raportin me të. Pra të gjithë ju do të kaloni… edhe pse ai ishte shumë i inatosur me disa nga ju, ne ia kemi dalë që të flasim me të dhe ne kemi vendosur që t’ju kalojmë”, thuhet ndër të tjera në muhabetin që është bërë në këtë grup të Viberit.

Një muaj më parë, profesori Bejta njoftoi Senatin e Universitetit të Prishtinës për dorëheqjen. Ai ishte i suspenduar për 6 muaj.

Në fund të marsit, KOHA pati raportuar për një sërë denoncimesh të studentëve ndaj Bejtës lidhur me kërcënime, shantazhe e dhunë psikologjike. Pas publikimeve, pati edhe protesta të studentëve.

Të ngjashme