Këshilli i Investitorëve Evropianë mbështet fuqishëm marrëveshjen e nënshkruar sot nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.
Sektori bankar në Kosovë është një nga sektorët kryesorë me rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, si dhe për stabilitetin ekonomik të tij. Një sistem bankar i qëndrueshëm dhe i fuqishëm konsiderohet parakusht për rritjen e investimeve në vend si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin bankar, kanë arritur përmasa alarmuese dhe mund të kenë efekte zingjirore negative në shoqërinë tonë, andaj iniciativa e sotme është një hap i rëndësishëm në parandalimin e këtyre dukurive negative.
Nga ana tjetër, zbatimi efektiv i kësaj marrëveshjeje tregon se institucionet e vendit e marrin shumë seriozisht këtë rast dhe zotohen në luftimin e plotë të kësaj dukurie negative për shoqërinë dhe vendin tonë.
Këshilli i Investitorëve Evropianë është i gatshëm të ofroj asistencën dhe bashkëpunimin e tyre në implementimin e plotë të kësaj iniciative.