Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e 50% të pagës mujore ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajt, pasi i nuk ka zbatuar në plotni dy vendime të Këshillit, të marra më 16 dhe 23 qershor 2021.
Në vendimin e Këshillit të siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se ndalesa e pagës do të bëhet deri në zbatimin e plotë të vendimeve nga ana e drejtorit.
Arsyetimi i Këshillit
KPMShCk më 23 qershor 2021 pati nxjerrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Bashkim Shalës dhe ka obliguar drejtorin e ATK-së që të bëjë zbatimin e vendimit brenda afatit prej 15 ditësh, duke e sistemuar ankuesin në pozitën e punës së zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së. Ndërsa në vendimin e datës 18 qershor 2021, Këshilli ka nxjerrë vendim me të cilin e ka aprovuar ankesën e Hamdi Hoxhës dhe ka obliguar drejtorin të bëjë zbatimin e vendimit, duke e sistemuar të njëjtin në pozitën e punës zëvendësdrejtorit të përgjithshëm.
Për këtë vendim është njoftuar edhe kryeministri Albin Kurti përmes një letre nga Këshilli, ku thuhet se Murtezaj nuk ka zbatuar vendimet e marra.
Me dispozitat e Nenit 21 të paragrafit 3 të Ligjit 06/L-48 për Këshillin e pavarur mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës është përcaktuar që “Moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit paraqet shkelje të rëndë të detyrave të punës”.
Për këtë vendim është njoftuar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Komisioni Parlamentar për Administratë Publike në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa drejtori i Thesarit është obliguar që të të bëjë zbatimin e vendimit për ndalesën e pagës brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit.