Tash e një muaj ka mbetur pa u shqyrtuar ankesa e Anton Gojanit, të cilën e kishte bërë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës (KPMSHCK) për procedurat e vlerësimit për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).
Kjo për faktin se në fund të vitit të kaluar, katër anëtarëve të KPMSHCK-së u ka skaduar mandati, derisa një muaj më parë edhe një anëtar tjetër i Këshillit ka dhënë dorëheqje, shkruan “Koha Ditore”.
KPMSHCK-ja përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës. Sipas rregullores së punës së këtij Këshilli, për të pasur kuorum për mbajtjen e një mbledhjeje duhet të jenë së paku katër anëtarë. Afati për shqyrtimin e ankesave është 45 ditë.
Në mungesë kuorumi, Këshilli është detyruar t’i kthejë mbrapsht ankesat e nëpunësve civilë. Më 25 tetor, komisioni për vlerësimin e kandidatëve në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) e kishte formuar listën me tre emra për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.