Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së do të votojë lidhur me kandidimin e Hotit për kryeministër

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Këshilli i Përgjithshëm që të deklarohen përmes postës elektronike nëse pajtohen me propozimin e Kryesisë që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

Sipas njoftimit që ka siguruar KOHA, anëtarët e Këshillit duhet të përgjigjen deri të premten në orën 12:00.

Siç thuhet në njoftimin e LDK-së, Kryesia e kësaj partie në mbledhjen e sotme me unanimitet ka propozuar për kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin.

“Sipas nenit 24 të Statutit të LDK-së, kandidatin për Kryeministër e përcakton Këshilli i Përgjithshëm, me propozim të Kryesisë. Prandaj, në pamundësi që të takohemi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19, kërkoj që të deklaroheni përmes e-mailit me sa vijon: -A e përkrahni propozimin e Kryesisë së LDK-së që z. Avdullah Hoti të përcaktohet kandidat për Kryeministër? Përgjigja: PO JO Abstenoj Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri nesër, e premte 24 prill deri në ora 12:00”, thuhet në njoftim.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë ditës ka mbledhur strukturat e partisë ku u diskutua për emrin e kandidatit për kryeministër. Pas caktimit të Hotit si kandidat për kryeministër, Mustafa tha se për mandatar janë diskutuar emrat e Avdullah Hotit, Kujtim Shalës e Lutfzi Haziri.

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se sfida e parë që do të përballet Qeveria e re e Kosovës, do të jetë pandemia Covid-19.


Të ngjashme