Sekretari i Këshillit të Prindërve, Enver Balaj i ka thënë Ekonomia Online, se nuk ka asnjë pengesë dhe mësimi duhet të fillojë me 1 shtator, ngase sipas tij, nxënësit do të pajisjen me libra pasi që prindërit do të rimbursohen për blerjen e tyre.
Ndërkaq, për mungesën e librarive në 7 komuna të Kosovës, ai tha se shtëpitë botues e kanë interes shitjen e librave e do të hapin pika mobile.
“Unë mendoj që tash shtëpitë botuese, ato kanë interes me i shit librat, ato kanë me hap pika mobile shitëse, nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, kudo që janë sepse është në interesin e tyre me hap pika shitëse, për me i shit librat që i kanë botuar, edhe mendoj që është punë e kryer kjo dhe nuk paraqet ndonjë problem te qytetarët”.
“Mësimi ka me filluar, është normale që fillon, kurrfarë pengese nuk ka edhe duhet me filluar patjetër, pasi rimbursimi apo të hollat po kalojnë nëpër konto të prindërve është punë e kryer, librat i kanë fëmijët, nuk ka ndonjë problem, nuk paraqet ndonjë problem”.
Sipas Balajt procesi i aplikimit përmes platformës e-Kosova do të ketë probleme për shkak që prindërit mund të mos kenë qasje në internet.
“Të gjithë prind që marrin shtesa të fëmijëve, kanë qasje në e-Kosova, duhet të hapet linku për aplikim, duhet të aplikojnë me numrin personal të letërnjoftimit, mandej në bazë të numrit i dalin sa fëmijë i ka, prej 6 vjet deri në 16 vjet, do të thotë prej klasës së parë deri në klasën e 9 edhe mund të aplikohet për fëmijët e vet dhe prej javës së ardhshme dalin të hollat në konto, me të holla mundet me i ble librat, mundet me i ble të premten mundet të hënën”.
“…ne edhe kur kemi ble librat vite më herët, unë i kam ble për fëmijët e mi kurrë para 3-4 shtator nuk i kom ble, nuk është e thënë me filluar mësimi të hënën menjëherë librat, librat mundet të hënën, të martën edhe nuk paraqet ndonjë problem, me rëndësi që ministria po i jep të hollat për librat e fëmijë, nuk kanë nevojë qytetarët mu frikësuar as me u shqetësua as me u alarmuar se të hollat kanë me dal të gjithëve në konto, veç duhet me aplikuar përmes e-Kosova”.
“Ka me pas probleme të shumta se ka shumë njerëz që nuk kanë qasje në internet, besoj fëmijët e tyre kanë qasje në internet edhe dinë më e përdor internetin edhe kanë më aplikuar, apo i’u ndihmon dikush i afërt apo përmes shkollës mësuesja, drejtoresha apo dikush”.
Sipas tij, procesi i shpërndarjes së të hollave në llogaritë e prindërve do të bëhet brenda javës së ardhshme, raporton EO.
“Ishim në takim me Ministren e Arsimit, prej të cilës morëm informata që të hollat do të kalojnë në llogari gjatë javës së ardhshme, brenda javës së ardhshme të gjithë qytetarët e Kosovës kanë më u pajis me të holla për blerjen e librave përmes e-Kosova”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se prindërit nga e premtja mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ajo ka njoftuar se do të ndahen nga 50 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.