Diskutimet për një konflikt të mundshëm bërthamor janë totalisht të papranueshme. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit ditën e enjten.
Ai paralajmëroi se referendumet në zonat e kontrolluara nga Rusia do të çojnë në aneksim.
Çdo aneksim i territorit të një shteti tjetër përmes kërcënimit apo përdorimit të forcës është një shkelje e kartës së OKB dhe ligjit ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit t’i përcjellin një mesazh të qartë Rusisë se duhet të heqë dorë nga kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamorë në luftën në Ukrainë.
Presidenti Vladimir Putin tha më herët gjatë javës se vendi do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion nëse territorit i tij është i kërcënuar dhe për të mbrojtur qytetarët e vet.
“Çdo shtet anëtar duhet të përcjellë mesazhin e qartë së kërcënimet e papërgjegjshme bërthamore duhet të ndalen menjëherë”, deklaroi Blinken.
Ai paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës dhe përpjekjet e Putinit për të aneksuar më shumë territor të këtij shteti, janë kërcënim për të shkatërruar rendin ndërkombëtar.
“Vetë rendi ndërkombëtar, që ne jemi mbledhur këtu për ta mbrojtur, po copëtohet para syve tanë. Ne nuk mundemi, dhe nuk duhet ta lejojmë presidentin Putin të mbetet pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara po e marrin shumë seriozisht kërcënimin e presidentit Putin për përdorimin e armëve bërthamore, e sipas “Washington Post” prej disa muaj po paralajmërojnë privatisht për pasojat e një hapi të tillë. Sipas të përditshmes, Uashingtoni ika bërë të qartë lidershipit rus se çdo përfshirje e armëve atomike në konflikt do të kishte pasoja të rënda.