Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka shpalosur Programin për Mbrojtjen e Konsumatorit 2016-2020.
Sherif Fejzullahu, kryetar i këtij këshilli, tha se mandati i tyre është edukimi dhe vetëdijësimi për t’i denoncuar parregullsitë.
Ai tha se denoncimet do t’i adresojnë në vendin e duhur.
“Ky këshill është themeluar nga MTI me përkrahjen e Qeverisë. Këshilli ka mandat edukimi, vetëdijësimi për ta denoncuar atë që po ndodh. Kërkojmë një bashkëpunim, bashkëveprim, kërkojmë nga konsumatori të jetë bashkëpunues. Nëse dëshirojmë të kemi shëndet, ambient e financa më të mira, tregu jonë të jetë më korrekt, atëherë ne duhet sot t’i bëjmë apel konsumatorëve të jenë bashkëpunues në bashkërendimin e aksioneve tona”.
Ai shtoi se duhet të kontrollohet cilësia e produkteve, raporton Ekonomia Online.
“Synimet e këshillit janë informimi dhe edukimi. Në market nëse e sheh produktin e skaduar, lajmëroje. Sektori prioritar është tregtia. Siguria e cilësisë së produktit, duhet të kontrollohet çdo produkt a ka ngarkesa kimike. Qëllimi i themelimit të këshillit është të bëjmë bashkëpunim me te gjithë profilet e konsumatorëve për të denoncuar parregullsitë”.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk janë marrë masa pas skandalit të mishit të prishur, Fejzullahu tha se nuk është e vërtetë që nuk janë marrë masa.
Ai shtoi se denoncimet për produktet duhet të argumentohen.
“Kur denoncohet një produkt duhet të argumentohet mirë. Nuk është e vërtetë që nuk kanë marrë masa, ato që kanë dalë aq të fryra, Këshilli nuk ka mundur t’i marrë në atë masë. Departamenti duhet të jetë me dokument i siguruar për të denoncuar diçka”.
Lumnije Ajdini, anëtare e këtij Këshilli nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tha se në program sqarohen të drejtat dhe përgjegjësitë.
Ajo shtoi se kanë dërguar rekomandime tek institucionet për ta rritur numrin e inspektorëve në agjenci përkatëse.
“E kemi një program ku sqarohen përgjegjësitë dhe të drejtat e konsumatorit. Roli im është që të bashkëpunojmë dhe informojmë, të bashkëpunojmë edhe me qendra tregtare. Kemi bërë fushata të ndryshme, fletushka per të kontrolluar mallin para se të blehet. Kemi dërguar rekomandime që të rritet numri i inspektorëve në agjenci përkatëse”.
Selatin Kaçaniku, anëtar i Këshillit nga Organizata e Konsumatorit, tha se problemin e mishit e kanë adresuar edhe më herët.
Ai e ka kritikuar komisionin parlamentar, i cili dje diskutoi për skandalin e mishit pa pjesëmarrjen e këshillit për mbrojtjen e konsumatorit.
“Edhe problemin e mishit e kemi adresuar vite më parë. Nuk do ta akuzoja opinionin për panikë. Nëse një komision dëshiron ta trajtojë këtë çështje, duhet të jetë aty edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit, ne nuk kemi qenë dje në komision”.
Ky këshill është themeluar në shkurt të këtij viti me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët vijnë nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit, Organizata e Konsumatorit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është ngarkuar për sigurimin e hapësirës dhe mbështetjes teknike për Këshillin me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së tij.