Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ka kërkuar që të rritet buxheti për vitin 2024 për shtimin e numrit të punëtorëve dhe blerjen e dy veturave, raporton Ekonomia Online.
Këtë kërkesë e ka bërë kryetarja e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku u diskutua Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit.
Kërkesë tjetër e tyre sigurimi i një objekti, pasi që paguajnë qera në një nga hotelet e Prishtinës.
“269 mijë euro është buxheti aktual dhe duke marrë parasysh fluksin që është shtuar kohëve të fundit dhe kërkesë tjetër është rritja e stafit prej pesë personave dhe blerjen e dy veturave”.
“Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk ka objekt të saj, që një vit kemi dalë në hotelin ‘Grand’ dhe aty paguajmë qiranë. Mënyra e pagesës ka qenë shumë e lehtë dhe u jepet direkt AKP-së, pra nuk ka dorë të tretë. Këto janë disa nga nevojat që ka Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, tha ajo.
“Me Ligjin e pagave, anëtar të Bordit që me punuar me orar të plotë dhe kemi kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Kuvendit që me punuar me orar të plotë, kërkesa është e anëtarëve të Bordit joshumicë. Dy anëtarë që vijnë nga komunitetet pasi që nuk kanë punë të dytë”.
Anëtarët e Komisionit thanë se do t’i shikojnë mundësitë që të ndihmohet ky institucion.