Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Dogana e Kosovës (DK) kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit.
Ky memorandum i bashkëpunimit është nënshkruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Qëllimi i këtij memorandumi është ndërlidhja e sistemeve elektronike dhe shkëmbimi i të dhënave në formë elektronike në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Doganës së Kosovës.
Të gjitha të dhënat nga Dogana e Kosovës në prokurori do të dërgohen në formë elektronike nga sistemet e tyre për menaxhimin e lëndëve dhe anasjelltas.
Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Kryesuesi i KPK-së dhe Drejtori i Doganës së Kosovës vlerësuan lart bashkëpunimin e deritashëm të dy institucioneve përkatëse, duke thënë se ky memorandum i nënshkruar sot vërteton gatishmërinë e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit, me qëllimin e vetëm – fuqizimin e luftës kundër dukurive kundërligjore.