Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka quajtur tendencioze, të pavërteta dhe linçuese deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të kabinetit qeveritar, rreth sistemit prokurorial në vend.
Në një komunikatë për medie, KPK thotë se është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.
KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve.
KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara.
Kryeministri Kurti, gjatë deklaratës që bëri dje rreth tri arrestimeve nën dyshimin për keqpërdorime në rezervat shtetërore, deklaroi se ministritë kanë deponuar qindra raportime zyrtare e kallëzime penale për krimin e korrupsionin që e kanë gjetur, por sipas tij, “kjo nuk i ka bërë përshtypje Prokurorisë së Shtetit”.