Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë së Kosovës, bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet kushtetuese dhe ligjore, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sigurisë në vend.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës, me përfaqësim të institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, ka vlerësuar situatën në vend, me theks të posaçëm në zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, pas aktit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se autoritetet e sigurisë dhe ato të ndjekjes po zhvillojnë hetime intensive në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme. Organet e rendit kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët, pa dallim, që të ofrojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në zbulimin e kapjen sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se në rast të nevojës për ndihmë dhe ekspertizë në ndriçimin e rastit mund të kërkohet ndihmë profesionale nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, në veçanti nga FBI të SHBA-së.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme dhe se organet e rendit janë duke kryer me përgjegjësi detyrat e tyre në ruajtjen e qetësisë publike dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.