Këshilltari amerikan John Bolton takon sot Putinin

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 13:16 | Nga

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Moskë më 27 qershor, ka njoftuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Bolton pritet që gjatë vizitës së tij njëditore në Rusi të negociojë për mbajtjen e takimit në mes të Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Nëse ndodhë, liderët do të takohen në muajin korrik.

Më herët ishte raportuar për një takim të Boltonit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa Peskov u ka thënë gazetarëve se këshilltari amerikan do të takohet edhe me Putinin.

Bolton është nisur në Moskë, pas takimeve me aleatët amerikanë në Londër dhe Romë më 25-26 qershor.

Në muajin mars, Trump pati përgëzuar liderin rus për rizgjedhjen e tij si president, duke përmendur një takim në një të ardhme të afërt.

Aktualisht marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë në pikën më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë.

Shtetet në fjalë nuk kanë mendim të njëjtë për gjendjen në Siri, Ukrainë, dyshimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe akuzat drejt Moskës për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani muaj më parë.

Kremlini ka thënë të martën se në mesin e temave që do të diskutohen është edhe stabiliteti ndërkombëtar, problemet rajonale dhe marrëdhëniet bilaterale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme