Shkarkimi i 35 diplomatëve të karrierës nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca nuk është spastrim politik por, këto shkarkime kanë ardhur pasi këtyre diplomatëve u ka kaluar mandati 4 vjeçar i paraparë me ligj.
Kreshnik Ahmeti, shef i Kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka thënë se është hapur një konkurs i brendshëm për të plotësuar pozitat e këtyre diplomatëve, raporton Ekonomia Online.
“Deklarimet janë të pabaza për arsye që ne nuk kemi bërë spastrim, ne nuk kemi shikuar emra por, i kemi shikuar mandatet. Janë rreth 35 diplomatë të cilët po kthehen dhe shumica dërrmuese janë diplomatë të karrierës, nuk e di se për çfarë spastrimi e ka fjalën opozita kur kemi të bëjmë me diplomatë të karrierës.
Ne po të mos i kishim marrë këto vendime si MPJ do të shkelnim ligjin, sepse ligji e përcakton që një diplomat pas 4 viteve në shërbim jashtë vendit duhet të kthehet në MPJ të angazhohet për një kohë para se të shkojë diku tjetër në mision”, tha Ahmeti për Ekonomia Online. sipas tij, ditëve të fundit Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht ministri Konjufca, ka marrë vendime në kuadër të procesit të rotacionit të diplomatëve që është një procedurë e rregullt. “Vendimet kanë të bëjnë me kthimin e diplomatëve të cilëve ju ka përfunduar mandati apo do të ju përfundojë së shpejti. Në të njëjtën kohë është hapur një konkurs i brendshëm në mënyrë që pozicionet e diplomatëve që po kthehen të zëvendësohen me diplomatë të tjerë të cilët vinë nga ministria e punëve të jashtme të Kosovës”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti në këtë intervistë për Ekonomia Online ka folur edhe për kthimin e shtetasve kosovarë të cilët janë në vendet e huaja në këtë periudhë të pandemisë, Ahmeti ka treguar se kanw qenw 1mijw e 500 kërkesa për kthim të qytetarëve por që i kanë dhwnw prioritet rasteve emergjente. Ahmeti ka kërkuar mirëkuptim nga këta qytetarë dhe ka thënë se të gjithë ata persona do të kthehen në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë.
” Secili qytetarë që kthehet duhet të futet në karantinë për 14 ditë dhe kapacitetet e karantinimit janë të kufizuara, në rast se i kthejmë të gjithë përnjëherë kolapson sistemi i shëndetësisë. Jemi duke i kthyer gradualisht duke i proiritizuar rastet emergjente dhe duke i prioritizuar shtetet që kanë më shumë kërkesa por, kjo do të vazhdoj edhe qytetarët e tjerë do të kthehen. U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që janë jashtë vendit që të bëjnë durim sepse ne po mundohemi që të kthehen dhe që të rriten kapacitetet për ta”, shtoi Ahmeti.
Ai ka folur edhe për rastin që është raportuar se dy vetura që janë pronë e MPJD-së dhe që kanë ardhur jashtëligjshëm në Kosovë. Ahmeti ka treguar për EO se ka kërkuar një raport se si qëndron kjo çështje, dhe ka bërë me dije se nëse këto vetura janë bërë pronë e kësaj ministrie jashtëligjshëm do të ketë hetim nga organet ligjore.
“Ato vetura kur e kemi marrë detyrën si kabinet me 4 shkurt të këtij viti i kemi parë në oborrin e Ministrisë dhe jemi interesuar për to, ato nuk kanë lëvizë ato përgjatë mandatit tonë si kabinet kanë qëndruar dhe kemi filluar me pas pikëpyetje në lidhje me statusin e atyre veturave. Kemi filluar të merremi me atë çështje.
Unë kam kërkuar një raport të brendshëm për të gjithë historikun, procesin se si janë blerë, si janë sjellë në Kosovë, pse janë blerë dhe do ta shohim se si qëndrojnë këto veprime në raport me ligjin me rregulloret e brendshme, dhe në rast se ka shkelje ne do t’i ndërmarrim masat disiplinore. Nëse shkeljet janë të mëdha atëherë, për këtë çështje do ti ftojmë edhe organet e drejtësisë që të merren me to”, tha ai.