Në shkrimin e tij “Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë,” të datës 2 qershor 2010, këshilltari i sapo shkarkuar i Kryeministrit në ikje argumentonte se qëllimi i intervenimit ushtarak të NATO-së në Kosovë në vitin 1999 nuk ishte çlirimi i vendit apo ndalimi i krimeve të luftës të shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë por ruatja e integritetit territorial dhe sovranitetit të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.
Për më keq, në po këtë shkrim ai pohonte se ishte pikërisht intervenimi ushtarak i NATO-së që kishte “rënduar” katastrofën humanitare në Kosovë.
Me këto “argumente” dhe me nënvizimin se NATO-së i mungonte autorizimi ligjor i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për përdorim të forcës ushtarake kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë, ky shkrim përputhet me propagandën e Serbisë dhe të qarqeve akademike ndërkombëtare të ekstremit të majtë që e dënojnë intervenimin ushtarak të NATO-së në Kosovë si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe shpërfaqje arrogante të imperializimit amerikan.
Mbi premisën e këtij “mendimi krtik,” në një ligjëratë që u bë publike këto ditë këshilltari i shkarkuar i Kryeministrit në ikje i referohej forcave naziste dhe fashiste që kishin okupuar vendin gjatë Luftës së Dytë Botërore si “KFOR-i gjerman” dhe “KFOR-i italian.”
Në këtë mënyrë, ky “mendimtar kritik” e arsyetonte programin politik të partisë në pushtet që praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në vend – që e çliroi vendin dhe i hapi rrugë pavarësisë – gjithnjë e ka trajtuar si forcë okupatore.
Këto qëndrime të njërit prej ideologëve të partisë në pushtet nuk ishin vetëm të njohura nga Kryeministri në ikje por edhe përkrahen edhe sot e kësaj dite nga ai dhe partia në pushtet.
Shkrimi i lartpërmendur për NATO-në sot është i afishuar me krenari në ueb faqen e partisë në pushtet dhe duket se është pjesë e literaturës së detyrueshme për indoktrinim të militantëve.
Përderisa Kryeministri në ikje mund ta lirojë formalisht nga detyra qeveritare këshilltarin e tij, ai kurrë nuk mund të distancohet nga deklaratat e këshilltarit të tij.
Kjo për shkak se Kryeministri në ikje e di fare mirë se këshilltari i tij thjeshtë e ka thënë me zë atë që e ka mësuar nga shefi i vet.