Vedat Sahiti, këshilltari i myftiut Naim Tërnava, tha se nuk mbahet mend që një Ramazan të mbahet në këso kushte gjatë historisë.
Megjithëse këtë herë besimtarët myslimanë nuk do t’i praktikojnë ritet karakteristike të këtij muaji, Sahiti tha se shëndeti është mbi të gjitha dhe se duhet dëgjuar udhëzimet që po japin zyrtarët shëndetësorë, njofton Klan Kosova.
“Një nga pesë kushtet themelore të besimit islam është edhe agjërimi i Ramazanit. Ky muaj ngërthen në vete rëndësinë e zbritjes së Kuranit, pikërisht në këtë muaj Zoti ka vendosur që të dërgojë shpalljen e tij të fundit pejgamberit tonë, Muhamed Mustafasë, pas të cilit nuk do të ketë më pejgamber. Për këtë arsye rëndësia e agjërimit të muajit të Ramazanit është e veçantë për të gjithë besimtarët”.
“Nuk mendoj se pandemia e ka ndryshuar në kuptimin e agjërimit, por si manifestim se si është praktikuar në të kaluarat. Për shkak të paraqitjes së pandemisë ne jemi detyruar për të marrë vendime dhe masa të vështira me qëllimin e vetëm për të mbrojtur shëndetin e njejrëzve dhe që të përhapet në vendet ku njerëzit falen, pra në xhami”.
Sahiti në Klan Kosova tha se teravitë janë pezulluar në kuadër të vendimit që u mor qysh në fillim të pandemisë që të ndalen faljet me kolektiv.
“Prandaj, kemi marrë vendim që të pezullohen faljet kolektive apo faljet me xhemat për ditën e Xhuma dhe pesë kohët tjera të ditës. Në kuadër të këtyre janë pezulluar edhe teravitë, prandaj të gjithë besimtarët nuk po e përjetojnë njëjtë se si e kemi pritur që të takohemi me familjarët tanë, miqtë për iftare apo edhe gjatë namazit të teravisë. Për fat të keq këto nuk mund t’i bëjmë”.
“Është e vështirë që njerëzit t’i falen teravitë në shtëpi, por këtë gjë e ka praktikuar edhe vetë Muhamedi a.s. Pasi namazi mund të bëhet në shtëpi në këso rrethana atëherë është një mundësi e mirë që edhe të rrinë në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët apo më të moshuarit sepse na duhet disiplina më shumë në këtë pandemi”.
“Gjatë historisë ka pasë raste kur është mbyllur Qabeja për vizitorë, por jo në këso përmasash. Edhe Ramazani nuk mbahet mend që është mbajtur në këso rrethanash. Por, ne duhet të fokusohemi në përmbajtjen e instruksioneve nga IKPSHK-ja, MSH-ja dhe institucionet tjera sepse dihet që shëndeti është mbi të gjitha”.
“BIK para 10 ditësh ka filluar një aksion të quajtur “Sofra e Ramazanit” për të ndihmuar familjet në nevojë. Kemi filluar me 10 mijë pako ushqimore, por ky ka qenë objektivi ynë që para Ramazanit t’i shpërndajmë këto pako, por falë Zotit këtij aksioni i është bashkangjitur një numër i madh i bamirësve dhe e kemi tejkaluar edhe këtë numër. Që dje ka filluar të shpërndahen pakot ushqimore, por kemi bërë edhe pako higjienike sepse këto ditë është thelbësore dhe më së e nevojshme. Pastërtia dhe higjiena janë pjesë të pandashme të besimit”.
“Kemi organizatën “Bereqeti” që nëpër Kosovë i kemi 30 degë dhe ka plot vullnetarë që ndihmojnë në këtë aksion dhe besoj se do të vazhdojmë edhe këtë muaj të Ramazanit dhe e kemi obligim moral dhe fetar që t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë”.