Këshilltari i Veselit: Pas futjes së Nismës në Kuvend, dështon formimi i qeverisë Kurti

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Anulimi i votave të ardhura me postë nga Serbia, ka bërë që koalicioni Nisma-AKR të kalojë pragun zgjedhor, duke hyrë kështu në Kuvendin e Kosovës.

Blerim Latifi këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, parashikon që tani janë rritur gjasat që formimi i qeverisë së re do të dështojë.

Kjo për shkak, që sipas tij, humbja e tre deputetëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një nga LDK, ka bërë që tanimë të kemi vështirësi në arritjen e numrave të nevojshme për formimin e qeverisë.

“Zakonisht kur ndodhin rotacionet politike, njerëzit përfshihen prej një lloj entuziazmi se tash e tutje gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur. Në Kosovë, ky entuziazëm kalon shpejt, sepse shpejt kuptohet se fati i qeverisë së re, pak a shumë, do të jetë i ngjashëm me atë të qeverive të kaluara”, ka shkruar Latifi në faqen e tij në Facebook.

Sipas tij, secila qeveri që vjen në pushtet objektivisht e ka të pamundur t’i realizojë pritjet e mëdha nga njerëzit për shkak te kufizimeve financiare te saj dhe keqmenaxhimit të fondeve.

“Secila qeveri në Kosovë është paracaktuar të dështoj, për shkak se objektivisht e ka të pamundur ta mbyll hendekun e thellë i cili ekziston midis pritjeve të mëdha që kanë njerëzit nga qeveria dhe burimeve të kufizuara financiare të saj. Kur krejt kësaj i shtohen edhe keqmenaxhimi i këtyre burimeve dhe korrupsioni i militantëve të ardhur në pushtet, atëherë dështimi vetëm sa përshpejtohet dhe mandatet ndërpriten para kohe”, ka shtuar Latifi.

Të ngjashme