Meliza Haradinaj-Stublla është dënuar me 8 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Sipas Gjykatës e akuzuara është dënuar për veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.
“E akuzuara M.H-S. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetë (8) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej një (1) viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 1,000.00€ (njëmijë) euro, të cilin dënim me gjobë do ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thonë nga Gjykata.
Ja njoftimi i plotë nga Gjykata:
Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarës M.H-S
Prishtinë, 04 tetor 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarës M.H-S për veprën penale Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 347 par. 2 të KPRK-së,
E akuzuara M.H-S. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetë (8) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej një (1) viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 1,000.00€ (njëmijë) euro, të cilin dënim me gjobë do ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas Prokurorisë e akuzuara M.H–S, kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 par. 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L – 50, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.