Sot është mbajtur takimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës e Legjislaturës së gjashtë, nën drejtimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ku u diskutua për përgatitjet sa i përket seancës konstituive te Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Në këtë mbledhje, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të subjekteve parlamentare të Legjislaturës së ardhshme, Veseli njoftoi se seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, në këtë rast Jahja Kokaj nga Lëvizja Vetëvendosje, i shoqëruar nga deputeti më i ri, përkatësisht nga deputetja Fjolla Ujkani, e cila po ashtu është nga kjo parti politike.
Pika e parë kësaj seance konstituive që do të mbahet më 26 dhjetor, do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.
Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mbledhjen e zhvilluar sot, janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare, ku sipas rregullores dhe praktikës së deritanishme, grupi më i madh parlamentar (VV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë të kryesuesit. Ndërkaq përcaktimi i ulëseve të tjera për grupet tjera do të bëhet gjatë ditëve në vijim.