Qeveria e Kosovës sot ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit shtetëror të cilësisë (KSHC) të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA-së).
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka thënë se anëtarët e zgjedhur në këtë bord janë profesionistë dhe i kanë plotësuar të gjitha kriteret e parapara.
Anëtarët e propozuar për Këshillin e Cilësisë të AKA-së nga Qeveria për ratifikim nga në Kuvendin e Kosovës janë Vjollca Krasniqi, Arta Jakupi, Gazmend Luboteni, Xhavit Rexha, Rozafa Koliqi-Lila, Magdalena Ziolo, Herbert K. Amato, Dukagjin Zeka dhe Jeffrey Butel.
Ndërkaq, MAShT-i përmes një komunikate për medie thekson se ministri Bytyqi ka emëruar edhe një komision “me një integritet të lartë profesional”, që vlerësoi nëse të nominuarit i plotësojnë apo jo kriteret akademike e profesionale sipas thirrjes së publikuar në faqen zyrtare të MAShT.
“Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë me qëllim të funksionalizimit, rritjes së cilësisë dhe efikasitetit të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, kohë më parë Qeveria pati shkarkuar bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ku si pasojë Kosova u përjashtuar nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).