Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot (e shtunë) ka bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 11 qershorit.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka treguar për lajmi.net hapat ligjorë që duhet ndërmarr tash për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.
Baraliu thotë, se tani certifikimi i rezultateve duhet të bartën në Kuvend dhe të mbahet mbledhja e parë konstituive. Ai tha, se presidenti është i detyruar me kushtetutë që të thërras mbledhjen, por në pamundësi nga ai, atëherë e bën Kuvendi.
“Pas komunikimit të rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre do të duhej që ato të bartën në Kuvend dhe Kuvendi të thërras mbledhjen e parë konstituive. Mbledhjen sipas kushtetutës e thërret presidenti i shtetit, ai është i detyruar me kushtetutë që të thërras mbledhjen. Mirëpo, në rast që Presidenti nuk mundet atëherë atë duhet ta thërras, atëherë Kuvendi, thotë kushtetuta, mund të ftojë seancën konstituive të parë”, tha ai.
Sipas tij, më pas Kadri Veseli duhet ta thërrasin seancën brenda 30 ditësh, më pas bëhet betimi i mandateve, formimi i grupeve parlamentare, propozimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvëndit, pastaj i tre nënkryetarëve dhe më pas mandatimi i qeverisë.
“Rrjedhimisht struktura e gjertanishme e kryesisë me kryetarin, Kadri Veseli duhet ta thërrasin seancën brenda 30 ditësh. Pastaj në radhë të parë bëhet betimi i mandateve, formimi i grupeve parlamentare, propozimi për zgjedhjen e kryetarit nga grupacioni më i madh, pastaj i tre nënkryetarëve dhe më pas mandatimi i qeverisë, gjegjësisht propozimi i grupacionit më të madh politik drejt presidencës për të mandatar atë që është paraparë në listën e PAN-it si mandatari i Qeverisë”, ka thënë njohësi i kushtetutës.