Këta janë të arrestuarit në Graçanicë gjatë aksionit të Policisë, AKI-së dhe Prokurorisë Speciale

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është finalizuar me sukses një operacion kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Sipas Sveçlës, operacioni është realizuar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.

“Sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion”, ka bërë të ditur ai.

Në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M., zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D., ekspertin e gjykatës Sh. T., një zyrtar në Departamentin e Shpronësimeve, zyrtarin e ATK-së G. L., si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

“Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Sveçla.

Ai ka shtuar se grupi dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar”, tha ai.

Për këtë pati njoftuar edhe Ekonomia Online.

Të ngjashme