Konkurrenca jo e drejtë në raport me prodhuesit e grurit të vendeve fqinje, importet e pakontrollueshme dhe mbështetja jo e kënaqshme e fermerëve nga ana e qeverisë kanë bërë që këtë vit Kosova të ketë afro 20 mijë hektarë grurë më pak të mbjellur.
Kështu u bë e ditur në tryezën e përbashkët të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës me Odën Ekonomike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se është koha kur duhet të fillohet me një kampanjë dhe të promovohen shembuj të cilët do të ndikonin në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimit vendës, ngase sipas tij gjatë vitit 2016 Kosova importoi para të gatshme afro 6 miliardë euro.
“Në vitin 2017 kemi afro 20 mijë hektarë më pak të mbjellur me grurë sesa në vitin 2016 dhe jemi këtu për të gjetur mënyrën se si të mbrohet prodhimi vendor. Dhe si përmes importit të mbrohet prodhimi vendor. Është koha të përdorim taktikat e vendeve të rajonit që për produktet tone jo vetëm të flitet por edhe të veprohet. Bujqësia është ajo që gjeneron vende të reja të punës. Është koha kur duhet të mbështetet fermeri i Kosovës për përmirësimin e bilancit të pagesave që është në një stad jo të lakmueshëm”, tha ai.
Nga analiza e Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës rrjedh se bujqit, prodhues të grurit në Kosovë janë gjithmonë të ekspozuar konkurrencës së padrejte të produkteve të grurit të cilët importohen në Kosovë.
Pal Gjuraj, nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit, tha se fermerët kosovarë po përballen me probleme të shumta, dhe kjo sipas tij ka bërë që të bie interesimi për kultivimin e këtij produkti.
“Edhe pse qeveria ka ndarë grande, nevojat e fermerëve janë edhe më të mëdha. Fermerët janë në vështirësi sepse nuk janë të barabartë me konkurrentët e shteteve për rreth. Kërkojmë që të vendosen banderolat në miell spese përmes tyre do të jemi në gjendje të dimë se sa importohet dhe sa prodhohet dhe në të njëjtën kohë të kontrollojmë cilësinë”, th ai.
Bashkim Fejzullahu nga Shoqata e Mullinjve të Kosovës, tha se është koha që të gjendet një zgjidhje ngase pretendon se kanë kapacitete të grurit të mjaftueshëm për vendin tonë, bile edhe për eksport.
Ai thotë se importi i grurit nga Serbia i ka kushtuar shumë prodhuesit dhe konsumatorit i cili nuk e din as prejardhjen e miellit të cilin e përdor.
“Ne nuk mund të bëjmë zgjidhje për prodhuesit e grurit sepse mielli importohet edhe më lirë se ne mund të iu ofrojmë atyre. Qëllimi është që ne të prodhojmë dhe të ofrojmë cilësi. Ne mund të them se kemi mundësi kapacitet por populli duhet të jetë i vetëdijshëm që të përdor prodhimin vendor në mënyrë që edhe ne të mund t’i nxisim bujqit tanë që të mbjellin tokat”, tha ai
Gjatë diskutimeve është theksuar se bujqësia konsiderohet si njëri prej gjeneruesve të mëdhenj të vendeve të punës. Në të njëjtën kohë, në Kosovë kjo industri përbën një prej sektorëve të cilët kanë potencial më të madh për zhvillim si nga aspekti i gjenerimit të të hyrave për ekonomitë familjare, luftimin e varfërisë, krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e deficitit tregtar, etj e deri te rritja e prodhimtarisë primare e cila më pastaj përdoret për zhvillimin e industrisë sekondare, të asaj të përpunimit. Si rrjedhojë kjo ofron mundësi të reja në industrinë e përpunimit të produkteve bujqësore.
Duke marrë parasysh se prodhimtaria e drithërave në përgjithësi është çështje mëse strategjike për Kosovën sepse ofron sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët e Kosovës, në këtë diskutim është konkluduar se duhet kushtuar vëmendje të veçantë dhe duhet t’i ofrohet përkrahje e duhur në mënyrë që të mund të zhvillohet tutje.
Kosova, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, çdo vit prodhon rreth 285,000 ton grurë. Kjo përbën plotësimin e rreth 70% të nevojave të Kosovës për grurë. Duke marrë parasysh faktin se prodhuesit e grurit në Kosovë nuk janë në pozitë të mirë në raport me prodhuesit e grurit në rajon, ndodh që ata nuk mund ta shesin grurin e tyre për shkak të konkurrencës jo të drejtë që vie nga importi i grurit dhe miellit.
Në fund u konkludua se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa të nevojshme për të mbrojtur prodhimin vendas të grurit dhe se rekomandimet nga diskutimet e kësaj tryeze do ti dërgohen Qeverisë së Kosovës në formë të kërkesës zyrtare.