Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës spanjolle, Mallorca, Vedat Muriqi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2022.
Në ceremoninë tradicionale të Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u mbajt, të shtunën, në një atmosferë madhështore dhe me praninë e mysafirëve të shumtë, çmimin kryesor të mbrëmjes “Fadil Vokrri” në mungesë të Muriqit, i cili është i angazhuar me skuadrën e tij, e pranoi drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, derisa atë e dorëzuan bashkërisht presidenti Agim Ademi dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Pjesë e këtij eventi ishin edhe Daulina Osmani, zv/ministre e Sportit, presidenti i FSHF-së, njëherësh anëtar i KE të UEFA-s, Armand Duka dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, derisa këtë event me nga një telegram e përshëndetën i pari i FIFA-s, Gianni Infantino dhe ai i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.
Për Muriqin ky është çmimi i dytë i futbollistit të vitit nga FFK, ngase herën e parë e kishte fituar në vitin 2019. “Ju uroj festat e fundvitit. Jam i lumtur dhe krenar për këtë çmim. Falënderoj bashkëlojtarët e Kombëtares. Jam i sigurt se do të më përkrahni deri në fund të karrierës. Është hera e dytë që po zgjidhem si më i miri. Shpresoj që viti 2023 të jetë viti i Kosovës dhe të arrijmë majat, si në aspektin ekipor me Kosovën, por edhe në aspektin individual”, ka thënë Muriqi nëpërmjet një video mesazhi.
Ndërkaq, epiteti i futbollistit më të mirë 2022 në Superligë i takoi anëtarit të FC Ballkani, Armend Thaqi. Në 11-shen më të mirë të Superligës u zgjodhën: Enea Koliqi, Armend Thaqi, Lumbardh Dellova, Astrit Thaqi, Ardian Limani, Ermal Krasniqi, Lindon Emërllahu, Ilir Krasniqi, Endrit Krasniqi, Albion Rrahmani, Marko Simonovski. Ky i fundit e fitoi edhe çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit.
Futbollistja më e mirë e vitit u shpall Lumbardha Misini, derisa shpresa Aurora Racaj. Lojtari më i mirë në futsall ishte Dardan Topilla. Çmimi i klubit më të mirë të vitit i takoi FC Ballkani, çmimi ‘Fair-Play’, FC Ferizaj, çmimin e klubit më të mirë të vitit tek femrat i takoi KFF EP Hajvalia, derisa në futsall klubi më i mirë u shpall FC Liqeni.
Epiteti i trajnerit më të mirë i takoi Ilir Dajës, derisa gjyqtari më i mirë për herë të shtatë u shpall Genc Nuza.