Ka përfunduar superndeshja e futbollit midis skuadrës së Prishtinës dhe asaj të Ferronikelit, ku kjo e fundit doli fituese me rezultat 1-0.
Ishte futbollisti Yll Hoxha ai i cili tundi rrjetën e prishtinasve në minutën e 73’.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe lojës korrekte, prishtinasit nuk arritën që ta sigurojnë titullin e tetë në historinë e tyre të futbollit.
Ndërsa kjo fitore i ka siguruar Ferronikelit titullin e tretë me radhë që nga periudha e pasluftës.
Edhe nëse ndeshja do të kishte përfunduar me barazim, kjo do t’i kishte konvenuar skuadrës nga Drenasi për shkak se ka qenë e renditur me 77 pikë në renditjen tabelore.
Në anën tjetër kryeqytetasve u është dashur medoemos që ta fitojnë këtë ndeshje për ta rikthyer titullin në kryeqytet pas gjashtë vjetëve mungesë.
Ndeshja është zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, para mijëra tifozëve që kanë udhëtuar nga qytete të ndryshme për ta ndjekur nga afër këtë derbi.