Gratë e strehuara në shtëpinë e sigurt të Qendrës Rajonale për Mirëqenien e Gruas në Pejë, që strehon viktimat e dhunës në familje, që vijnë nga komunat e Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit dhe Junikut, kanë mbaruar të martën trajnimin dymujor për mbrojtje nga dhuna.
Zëdhënësi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it italian në Pejë, Gennaro Troise, sqaroi për “Kohën Ditore” se kursi për mbrojtje personale për femra është organizuar nga Grupi Luftarak Shumëkombësh Perëndim (MBGW) i KFOR-it, në bashkëpunim me njësinë GRDW dhe njësinë e për bashkëpunim civilo-ushtarak (CIMIC), shkruan sot Koha Ditore.
“Trajnimet kanë qenë teorike-psikike dhe praktike. Grave që kanë ndjekur këtë kurs nuk ua kemi mësuar dhunën, por si të mbrohen nga dhuna”, tha Troise, sipas të cilit ky trajnim është zhvilluar me gratë e Qendrës Rajonale për Mirëqenien e Gruas në Pejë. Në këtë trajnim kanë qenë të përfshira stafi i kësaj qendre dhe disa nga gratë e strehuara që janë viktima të dhunës në familje.