NATO nuk do të pakësojë trupat e veta në Kosovë. E as nuk do të ndryshojë diçka në misionin e KFOR-it.
Këtë zotim e dha komandati i Shtabit Qendror të Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, që mbikëqyr edhe Forcën e Kosovën, admirali Robert P. Burke.
“Misioni ynë ka qenë gjithmonë i bazuar në kushte, që do të thotë se cfarëdo ndryshimi në termat e natyrës së misionit dhe/ose numrin e personelit, do të bëhet në bazë të vlerësimit të kushteve në terren, të pasuar nga një vendim i Këshillit të Atlantikut të Veriut, trupës vendimmarrëse të NATO-s”, tha ai në një intervistë për Klan Kosova, me rastin e vizitës së parë në Prishtinë. “NATO nuk ka në plan ta ndryshojë ose reduktojë misionin në Kosovë”.
Burke tha se KFOR është një storje suksesi për Aleancën dhe partnerët e vetë, që mbetet i fokusuar në kryerjen e detyrave të veta sic e parasheh Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999 dhe Marrëveshja Tekniko Ushtarake (e Kumanovës e po atij viti), në mënyrë që të garantojë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Admirali amerikan shtoi se gjatë 21 vjetëve të kaluara, KFOR-i ka ndihmuar në transformimin e Kosovës në një vend të sigurt.
Ai ka bërë të ditur se në kuadër të Forcës së Kosovës ka rreth 3 mijë e 500 trupa kontribuese nga 27 vende, përfshirë 19 anëtare të NATO-s dhe 8 vende partnere./klankosova.tv