Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në takimin e jashtëzakonshëm, ka vendosur që të rishikojë vendimin për ndalesën e avokatëve nëpër gjykata, duke arsyetuar se kjo ka qenë e keqkuptim dhe se avokatët kanë të drejtë të futen në objektet e gjykatave, raporton Ekonomia Online.
Këshilli Gjyqësor do të hartojë rregulla të reja për qasjen e avokatëve në objektet e gjykatave të vendit.
Kryesuesi i Këshillit, Nehat Idrizi, ka thënë se nuk duhet të lejohet komunikimi i shpeshtë i gjyqtarëve me avokatë gjatë trajtimit të lëndëve, për shkak së mund të ketë dyshime për ndikime.
“Qëllimi i këshillit në veprimet e tyre të mëhershme nuk mund të jetë të kufizojë qasjen e palëve në sistemin gjyqësor. Ne kemi obligim kushtetues dhe ushtrojmë sigurimin e standardeve që ruajnë integritetin e gjyqësorit”.
“Sipas një sondazhi me avokatë dhe palë të tjera nga organizata D+ mbi 60 për qind kanë thënë se për të kuptuar mbi statusin e tyre kontaktojnë gjyqtarët. Duke u mbështetur në këto të gjetura, në lidhje me shqetësimin e gjyqtarëve, një nga gjetjet kryesore ka qenë që gjykatat të gjejnë një mënyrë më të mirë të vizitave të avokatëve”.
“As këshilli dhe as gjykatat nuk kanë ndërmend që të marrin masa që cenojnë qasjen e palëve në sistemin e gjyqësorit. Kundrejt të gjitha palët kanë të drejtë qasje. Kanë qenë dhe duhet të kenë qasje në zyrat ku bëhen shtresat dhe parashtresat. Avokatët duhet të kenë qasje të pakufizuar, ashtu edhe avokatët mbrojtës”.
“Ajo çka është r palejueshme dhe që pengohet ka të bëjë me vendimin e paarsyeshëm të avokatit me gjyqtarit pasi qasja e panevojshme dhe komunikimi i përhershme mund të ngrisë dyshime nga ana e tyre”.
“Autorizohet Komisioni për cështje normative me komisionet e gjykatave që të rishikojnë dhe të hartojnë rregulla unike për rend shtëpiak. Ky vendim hyn në fuqi ditën e miratimit. Qëllimi është të bëhet një rend nëpër gjykata. Esenca e përcaktimit të një rendi, rregulloreje, është që të ketë rregull, diciplinë dhe të pengohet komunikimi i gjyqtarit me avokat”.
“Dje kam pas takim me kryetarin e Odës Avokatëve, e kam njoftuar për hapat që do t’i ndërmarrim, nuk është qëllimi të kufizohet qasja e avokatëve, por qëllimi ka qenë të pengohen keqpërdorimet e jo qasja e avokatëve”.
Ndërsa kryetari i Gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxhaj, i cili e kishte dhënë edhe vendimin që të mos lejohen avokatët në objektet e gjykatave pa ftesë, pyeti për atë se si do të shkojë procesi i rasteve të paraburgimit.
“Çka nëse avokatët nuk vijnë në seanca. Oda na ka qitë para aktit të kryere. Këta ka qenë dashtë me thënë që të përjashtohen rastet e paraburgimet Duhet seriozisht me biseduar”.
Ndërsa, Idrizi ka thënë se kjo do të jetë përgjegjësi e avokatëve.
Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren Ymer Hoxha, me datë 08 gusht 2018, kishte lëshuar Urdhër, ku nuk u lejohej hyrja e avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe Zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.
Në mbledhjen e mbajtur me datë 27 dhjetor 2018, Këshilli ka shqyrtuar kërkesën e Arianit Salihut, ushtrues detyre i Zyrës së Prokurorit Disiplinor.
Këshilli Gjyqësor ka vlerësuar se Vendimi i Kryetarit Ymer Hoxha, në lidhje me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa apo pa leje, është në përshtatshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave dhe nën kompetencën e kryetarit të Gjykatës, thuhet në njoftim.
Këshilli Gjyqësor i ka rekomanduar që të njëjtin vendim ta praktikojnë edhe nëpër të gjitha Gjykatat tjera.
Kurse Këshilli Drejtues i OAK-ut më datë 5 janar në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren dhe rekomandimi i KGJK-së paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme.