Këshilli i Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën u aprovua Draft-Rregullorja për Interpret dhe Përkthyes Gjyqësor, raporton Ekonomia Online.
Gjyqtari Armend Berisha prezantoi këtë rregullore derisa tha se për të shqyrtuar këtë rregullore është mbajtur edhe dëgjimi publik ku janë marrë parasysh gjitha komentet dhe janë harmonizuar me rregulloren.
“Kjo rregullore është vazhdë e obligimeve që rrjedh nga Gjykatat që përcaktohen kushtet, drejtat e certifikimi për ekspert e interpret. Kemi hartuar këtë rregullore, kjo rregullore ka qenë edhe diskutim publik”, tregoi Berisha.
“Ju njoftoj se pjesë integrale e kësaj rregullore është kodi i etikës për intepret dhe përkthyes”, tha ai.
Gjyqtarja Makifete Saliuka tha se sipas rregullores, interpreti dhe përkthyesi duhet të ketë përvojë 3 vjeçare, por që sipas saj kjo përvojë është shumë e gjatë.
KGjK-ja aprovoi kërkesën për vazhdimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj, tha se së shpejti do të nënshkruhet vazhdimi i këtij memorandumi me afat deri në vitin 2021.
“Memorandumi ka skaduar në mars të këtij viti, tani kërkesa është të vazhdohet edhe për 3 vite, por është mirë të shqyrtohet kjo kërkesë edhe për 2 vite tjera”, tha Çoçaj, raporton EO.
Po ashtu u aprovua drafti për nënshkrim të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.