Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), kërkon nga subjektet politike që të përmbahen nga deklaratat lidhur me vendimet gjyqësore. KGJK vlerëson se deklaratat e tilla dëmtojnë drejtëpërdrejtë pavarësinë e gjyqësorit, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në komunikatën dërguar medieve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës bën të ditur se vendimet e gjykatës janë të bazuara në ligj, andaj kushdo që kërkon ndërhyrje në këto vendime bënë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe cenon punën e pavarur të gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është duke bërë të pamundurën që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, kështu që një veprim i tillë është pengesë në realizimin e këtij qëllimi.
“I sqarojmë opinionit publik dhe pikërisht për rastin në fjalë se, cilado nga palët, që është e pakënaqur me vendim gjyqësor, mund ta atakoj atë në rrugë institucionale dhe ligjore, përmes ankesës, si mjet i rregullt juridik, dhe mjeteve tjera të jashtzakonshme, të parapara me ligj. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, bazuar në Kushtetutë i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i trajtojë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, kombëtare, fetare, partiake, apo pozite në shoqëri dhe se do të vazhdojë të angazhohet për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm”, thueht në komunikatë.
Ky reagim i KGJK-së vjen pas vendimit të Kuvendit për të mbajtur seancë të Jashtëzakonshëm për rastin e dënimit të grupit “Drenica”.