Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbështetje të Projektit të USAID-it për Drejtësi, të premten organizoi takim me përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, për të diskutuar lidhur me komentet e tyre rreth implementimit të Strategjisë së Komunikimit të KGjK-së si dhe transparencën në sistemin gjyqësor.
Në njoftimin e KGJK-së, thuhet se Strategjia e Komunikimit ka kaluar fazën e dëgjimit publik, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjatë takimit, bëhet e ditur se u diskutua edhe për unifikimin e taksave gjyqësore, udhëzuesin për monitorimin e gjykatave, si dhe prezantimi i rezultateve nga iniciativa për verifikimin e fakteve (lajmet e rreme), mbështetur nga Projekti i USAID-it për Drejtësi, si dhe trajtimi i çështjeve të tjera të rëndësishme që kanë në fokus përmirësimin e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.
KGJK thekson se kryesuesi Albert Zogaj, e ka vlerësuar lart rolin dhe punën e organizatave të shoqërisë civile dhe ka falënderuar të pranishmit për kontributin e tyre dhe e cilësoi si të rëndësishme përfshirjen e tyre në këtë konsultim pasi kjo strukturë do të ketë rolin kyç në implementimin e saj.
“Ndër qëllimet kryesore të këtij dokumenti strategjik është rritja e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, prandaj të gjitha rekomandimet e shoqërisë civile do të merren me seriozitet nga KGjK’’, citohet të ketë thënë mes tjerash Zogaj.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj, tha se synini i KGJK-së është që hartimin e politikave dhe akteve të ndryshme normative t’i hartojë në bashkëpunim dhe konsultim me shoqërinë civile.
“Nga ana tjetër, përfaqësuesit nga organizatat e shoqërisë civile kanë adresuar një mori rekomandimesh për KGJK-në dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi, si dhe shprehen gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të transparencës me KGJK-në dhe gjykatat, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta drejt avancimit të gjyqësorit”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga SKGjK, udhëheqës të zyrave për informimit në sistemin gjyqësor, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga projekti i USAID-it për Drejtësi.