Deklarata e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, e cila vë në pikëpyetje punën e gjyqtarëve kur behët fjalë për gjykimet e rasteve të korrupsionit, ka futur në luftë gjyqtarët e prokurorët.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës të hënën i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit me paralajmërimin se nuk e toleron një qasje të këtillë në lidhje me punën e gjykatave, shkruan sot Koha Ditore.
Një nga anëtarët e KGJK-së ka thënë se akuzat e Prokurorisë së Shtetit se gjyqtarët nuk po i dënojnë personat e fuqishëm me shumë janë formë për të arsyetuar dështimet e tyre me aktakuza të pabaza.
Ky institucion ka thënë se PSh-së nuk i intereson pse iu bien poshtë 90 për qind e aktakuzave për shkak që, sipas këtij institucioni, prokuroria po punon vetëm për statistika. Në anën tjetër, monitorues të sistemit të drejtësisë kanë vlerësuar se PSH-ja në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë të lëshohet në të tilla komente ndaj gjykatave dhe se këto deklarata po e cenojnë pavarësinë e gjykatave.
Pasi përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit kanë ashpërsuar muajt e fundit diskursin në raport me gjykatat e Kosovës, kur bëhet fjalë për gjykimet e rasteve të korrupsionit, pikëpyetje për këto gjykime ka ngritur edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Pak ditë pas deklaratave të tij, të hënën, KGjK-ja ka thirrur një mbledhje urgjente për këtë çështje. Kryeprokurori Lumezi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mbajtur më 30 maj të këtij viti, i ka bërë fajtore gjykatat që nuk po i kalojnë aktakuzat që përfshijnë njerëz të rëndësishëm, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit.