Khadija, amerikania pa asnjë humbje dhe me tre trofe

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Plot shtatë vjet ka pritur për titull të kampionit klubi i basketbollit të femrave, Bashkimi. Edhe më gjatë ka pritur për Kupë të Kosovës, 11 vjet. Titullin e kampionit e fitoi në vitin 2018, ndërsa Kupën e Kosovës këtë vit.

Sukseset e viteve të fundit të Bashkimit janë të lidhura ngushtë me emrin e basketbollistes amerikane, Khadija Brown-Haywood. Ajo ka dhënë kontribut të madh në të dyja kampanjat, atë për titull të kampionit dhe për Kupë të Kosovës. Për më tepër Khadija, si pak sportistë në vend, nuk ka pësuar asnjë humbje me fanellën e Bashkimit. Kjo e bën atë të veçantë.

Bashkimi me Khadijan në përbërje dhe pa të, dallon shumë. Të paktën kjo është dëshmuar deri më tani. Edicionin e kaluar, pa Khadijan në përbërje, Bashkimi mbeti pa trofe. 25-vjeçaren e ktheu për këtë edicion dhe menjëherë fitoi Kupën e pritur gjatë.

Bashkimi ngadalë po shndërrohet në forcë në basketbollin e femrave në vend pas riorganizimit që e pati në fillim të vitit 2018, me ardhjen e kryetarit Rrahman Përteshi. Aktualisht po zhvillon garë të fortë me Mabetex Prishtinën për më të mirin. Këto dy skuadra do të takohen të shtunën (sot) në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës. Dhe Khadija mund të ketë rol vendimtar.

Të ngjashme