Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE), në një prononcim për medie, bëri apel që institucionet e vendit të prioritizojnë të gjitha obligimet që kanë ndërmarrë dhe të rrisin dinamikën e punëve kështu duke zbatuar në mënyrë më efektive Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA).
Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i KIE- s, përfaqësues i investitorëve evropianë në Kosovë, është shprehur se “MSA-ja si kontrata e parë e nënshkruar në mes të Kosovës dhe BE-së konfirmon qartë përspektivën Evropiane të Kosovës dhe përkushtimin e BE-së ndaj Kosovës dhe si e tillë është esenciale për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Për më shumë, Balija ka theksuar se Qeveria, Parlamenti dhe institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës kanë rolin kryesorë për të implementuar këtë marrëveshje dhe se kjo marrëveshje i sjell benefite të shumta politike dhe ekonomike duke përfshi sundimin e ligjit, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, rritjen e eksportit, rritjen e punësimit, rritjen e konkurrueshmërisë, si dhe krijimin e kushteve më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Këshilli i Investitorëve Evropianë thekson se do të ofrojë bashkëpunimin edhe të mëtutjeshëm në këtë drejtim duke vazhduar të jetë një partner i rëndësishëm për eliminimin e barrierave për bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare.