Kilaj lirohet me kusht, Shalës nuk i modifikohet dënimi: Specialja me disa vendime para festave

Prishtinë | 12 Dhj 2025 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale ka intensifikuar punën para pushimit të festave të fundvitit.

Fillimisht, Isni Kilaj që akuzohet për pengim të drejtësisë, u lirua me kusht.

Kilaj plotësoi disa kushte, në mesin e të cilave edhe dorëzaninë prej 40 mijë eurosh.

“Në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Kilaj në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, z. Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e z. Kilaj për liri peshon më shumë se këto rreziqe”, u tha në njoftim.

“Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Kilaj ka kaluar në paraburgim në këtë moment tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar. Gjykatësi gjithashtu mori parasysh se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se z. Kilaj ishte orvatur të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; se ka përfunduar paraqitja e provave në ҫështjen Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se rreziku që z. Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë në Ҫështjen 12 është shumë i ulët duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se nuk ka rrezik që z. Kilaj të arratiset bazuar në periudhën e lirimit të tij të mëparshëm dhe shumën e ofruar të konsiderueshme si dorëzani financiare që do të humbiste”, theksohet më tutje në vendimin e gjyqtares.

Për dallim prej Kilajt, Haxhi Shala do të mbetet në burg edhe për festa.

Kjo pasi kryetarja e Speciales nuk ia aprovoi modifikimin e dënimit, pasi Shala nuk kishte shprehur keqardhje për veprat që akuzohej, pra pengimin e drejtësisë.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i z. Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij. Për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh”, u tha në njoftimin për media.

Prej 22 dhjetorit deri më 9 janar, Gjykata Speciale është në pushim.

E viti i ardhshëm është koha kur pritet vendimi në rastin e krerëve të UÇK-së.

Të ngjashme