Lojtari i parë i Bundesligës gjermane i diagnostikuar me Coronavirus, Luca Kilian ka treguar se ishte vërtetë i frikësuar kur mësoi se është infektuar.
Kilian 20-vjeçar, që luan për Paderbornin, ka qenë lojtari i parë i elitës gjermane që ka rezultuar me Coronavirus. Bundesliga është pezulluar së paku deri më 2 prill.
Reprezentuesi i U-21 të Gjermanisë ka humbur shtatë ndeshje pasi pësoi një lëndim muskulor në fund të janarit.
“E gjitha nisi më 10 mars, pata pak irritim në fyt. Një ditë më vonë pata kokëdhembje, por vazhdova stërvitjet”, ka thënë Kilian për “Westfalen-Blatt” të hënën, transmeton Koha.net. “Më 12 mars pata temperaturë dhe edhe, ndërsa ato u bënë më të forta në ditët në vijim. Në atë kohë nisa të frikësohem vërtetë për herë të parë. U desh katër ditë që temperatura të ndalej dhe pas kësaj nisa të ndjehesha më mirë me çdo ditë të kaluar”.
Mbrojtësi, që iu bashkua Paderbornit nga Borussia Dortmundi, ishte në gjendje të kthehej në shtëpi te familja. Në shtëpi për të u kujdes nëna, që është infermiere.
“Po të qëndroja në Paderborn do të më ishte dashur të shtrihesha në spital. Tash mund të flas për përvojën time. Jam sportist dhe në formë, por u desh të luftoja fortë kundër virusit. Për njerëzit që kanë probleme shëndetësore, ky virus mund të rrezikojë jetën e tyre”, ka shtuar Kilian.
Deri vonë të dielën, numri i të vdekurve në Gjermani nga koronavirusi arriti në 55. Kancelarja gjermane Angela Merkel është izoluar të dielën pas një takimi me një mjek që rezultoi me Coronavirus.