Drejtori i Institutit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, tha se pret që SHBA-ja të ketë vaksinë kundër Coronavirusit deri në fund të këtij viti.
“Ndjehem mirë me orarin e parashikuar”, tha Fauci për agjencinë e lajmeve Reuters.
Komentet e tij pasojnë të dhënat premtuese të fazës së hershme të testimit të një vaksine nga kompania bioteknike amerikane, Moderna.
Vaksina, që është zhvilluar nga shkencëtarët e institutit që udhëheq Fauci, pritet të hyjë në fazën përfundimtare të testimit në fund të këtij muaji.
Fauci tha se rezultatet e Modernas janë veçanërisht premtuese, sepse vaksina duket se ofron llojin e mbrojtjes që shihet në një infeksion natyral.
“Një nga gjërat që shpresoni është që vaksina juaj të ketë një përgjigje që mund të krahasohet me një infeksion natyral, sepse, teorikisht, vaksina më e mirë që ndoshta mund të krijoni ndonjëherë, është infeksioni natyral”, tha Fauci.
Në gjithë botën, dhjetëra vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton Coronavirusi, janë në faza të ndryshme të testimit.
Fauci tha se nuk është i shqetësuar me idenë se Kina mund ta sigurojë vaksinën më parë.
“Nuk do ta ketë shumë më shpejt se ne. Kjo është e sigurt”, tha Fauci.
Coronavirusi, që besohet se e ka origjinën në Kinë, ka prekur mbi 13.5 milionë njerëz në gjithë botën.
Prej tyre, mbi 584,000 kanë vdekur dhe mbi 7.5 milionë janë shëruar.