Kina bëhet gati për rinisjen e kampionatit të futbollit

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kinës tashmë është duke u përgatitur për ta rinisur kampionatin e Superligës së Kinës në qershor ose në korrik, pasi që tashmë vendi e ka kaluar krizën më të madhe të virusit Corona.

Aktivitetet sportive kudo në botë janë pezulluar përkohësisht pas përhapjes së koronavirusit, përderisa Superliga e Kinës, që ishte planifikuar ta niste sezonin e ri më 22 shkurt, ishte shtyrë gjithashtu.

Megjithatë, tashmë Kina i ka lehtësuar masat e lëvizjes së lirë dhe masat parandaluese të tjera për virusit, pasi që vendi paraprakisht kishte qenë epiqendra e këtij virusi fillimisht. Tashmë, jeta në Kinë po i kthehet normalitetit dhe me këtë kanë filluar edhe planet për rinisjen e aktiviteteve sportive.

Goal raporton se Federata e Futbollit e Kinës është udhëzuar që të gjitha klubet të përgatiten për ta rinisur kampionatin në verën e vitit 2020, përderisa klubet janë pajtuar që më shpejti mund të kthehen në fushën e blertë në qershor ose korrik.

Disa skuadra tashmë janë kthyer në stërvitje, përderisa pritet të kthehen edhe skuadrat e tjera së shpejti. Megjithatë, para se të rinisin ndeshjet, të gjithë lojtarët dhe stafi do të testohen për t’u siguruar që të mos shpërthejë një valë tjetër e infektimeve.

Plane të ngjashme janë duke u bërë edhe për garat e tjera sportive, si kampionatet e mëdha të futbollit në Evropë, ku po mbahen diskutime mes Federatave të Futbollit dhe klubeve për ta gjetur rrugën më të mirë drejt kthimit në fushën e blertë. 

Të ngjashme