Një gjykatë në Kinë ka dënuar sot me katër vjet burgim një qytetare-gazetare që kishte raportuar nga qyteti qendror Wuhan vitin e kaluar për shpërthimin e koronavirusit. Gjykata ka dënuar qytetaren me akuzë se ka provokuar trazira, ka njoftuar avokati i saj, njofton agjencia Reuters.
Zhang Zhan 37-vjeçar është e para që është gjykuar për një vepër të tillë, ndërsa ishte në mesin e disa njerëzve që kishin dëshmuar për spitalet e stërngarkuara dhe rrugët e zbrazura në Wuhan, në epiqendrën e koronavirusit të ri.
“Ne me gjasë do të apelojmë”, ka thënë avokati Ren Quanniu, duke shtuar se seanca ka mbaruar rreth orës 12:30 me kohë lokale dhe se Zhang është dënuar me katër vjet burgim. “Zhang beson se ajo është duke u persekutuar se ushtroi lirinë e të shprehurit”.
Kina ka censuruar ata që kanë kritrikuar për reagimin e saj jo të shpejt pas përhapjes së virusit. Personat që kanë kallëzuar, si mjekët, janë paraljmëruar. Mediumet shtetërore ia kanë adresuar meritat presidentit Xi Jinping për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë nga Kina.
Virusi është përhapur nëpër botë dhe ka infektuar më tepër se 80 milionë persona, dhe ka shkaktuar vdekjen e 1.76 milionë prej tyre.
Në Shanghai, ku u gjykua Zhang, policia kishte vendosur forca të mëdha të sigurisë jashtë gjykatës. Seanca për të u mbajt shtatë muaj pas arrestimit të saj. Ajo kishte qëndruar në paraburgim.
Një person në karrocë të invalidëve, i ka thënë Reutersit se ka ardhur nga provinca Henan për të treguar përkrahjen për Zhangun. Ai mbante një pano me emrin e saj, par se policia ta largonte.
Gazetarëve të huaj iu mohua futja në gjykatë “për shkak të pandemisë”, ka thënë një zyrtar i sigurimit në gjykatë.
Një ish-juriste, Zhang kishte arritur në Wuhan më 1 shkurt nga Shanghai.
Videot e saj të shkurtëra në YouTube përmbanin intervista me banorë, komente dhe xhirime të krematoriumeve. Po ashtu pamje nga stacionet e trenit, spitalet dhe Instituti i Virologjisë në Wuhan.
Ajo u arrestua në mesin e majit, ndërsa u fut në grevë urie në fund të qershorit, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Reutersi. Avokati ka thënë se policët ia kanë lidhur duart dhe e ushqyen me forcë nëpërmjet një gypi. Derio në dhjetor, ajo vuante nga dhembje koke, dhembje stomaku, shtypje të ulët të gjakut dhe infeksion në fyt.
Kërkesa për lirim me dorëzani u refuzua.
Qytetarë-gazetarë tjerë si Fang Bin, Chen Qiushi dhe Li Zehua, ishin zhdukur pa shpjegim.
Derisa nuk ka pasur lajme për Fangun, Li është riparaqitur në një video në YouTube në prill, duke thënë se është detyruar të karantinohet, ndërsa Chen, ndonëse është liruar, ajo është nën mbikëqyrje dhe nuk ka folur publikisht, ka thënë një shok.