Agjencia e lajmeve, Xinhua ka thënë se He Jiankui, i cili ka pretenduar një vit më parë se ka krijuar foshnje me gjene të ndryshueshme, është dënuar me tre vjet burgim dhe gjobë në vlerë të 430,000 dollarëve.
Autoritetet kanë kërkuar që puna e tij kërkimore të ndalet dhe është përjashtuar nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Shenzhen.
Dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu janë dënuar me shumën e njëjtë të të hollave mirëpo më pak kohë në burg, për shkak se i kanë ndihmuar shkencëtarit që të kryjë eksperimentin.
Në nëntor të vitit 2018, Jianjui pati habitur gjithë botën, kur ka njoftuar për eksperimentin e tij, duke përfshirë lindjen e dy vajzave binjake, gjenet e të cilave pretendohet se janë ndryshuar për t’i mbrojtur ato kundër virusit HIV.
Në disa pamje të agjencisë së lajmeve The Associated Press, ai pati bërë të ditur lindjen e binjakeve, Lula dhe Nana.
“E kuptoj se puna ime do të jetë kontraverse, mirëpo besoj se familjeve iu duhet kjo teknologji dhe unë jam i gatshem të kritikohem për ata”, pati thënë ai në atë kohë.
Ndonëse pasojat e ndryshimit të gjeneve ende mbesin të paqarta, efektet mund të jenë të përhershme.
Shkencëtarët frikësohen se në momentin kur pacientët kanë fëmijët e tyre në moshën madhore, ndryshimet gjenetike mund të barten në gjenerata, duke rezultuar me ndryshime gjenetike të racës njerëzore.